en-USsq-AL
You are here:   Nositi > Pogradeci në 5 Maj 2008
  |  Login

Pogradeci në 5 Maj 2008

   Minimize

Në mëngjesin e  5 Majit, si çdo ditë, por me një minikamera në dorë, zbrita në sheshin para Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”. Buçima e këngëve partizane u jep forcë dhe krenari të gjithëve, duke u krijuar edhe bindjen se flamurët kombëtarë nuk i valëviste era, por 5 Maji i shenjtëruar me gjakun dhe shpirtin e dëshmorëve.

 

Pa e ditur se pak më parë kishte buçitur kënga “Eja mblidhu këtu, këtu”, nga të gjitha drejtimet mbrrinin në shesh pogradecarë të të gjitha moshave, duke i dhënë kështu gjallërinë e duhur kësaj dite përkujtimore. Valëvitja e flamujve kombëtarë, veteranët, (veçanërisht ata që kishin vendosur shamitë e kuqe të partizanit dhe dekoratat e luftës) i jepnin flakërimën atmosferës së krijuar.

Grupet e njerëzve ishin zmadhuar aq shumë, sa të sapoardhurve u përfytyroheshin si batalione partizane. Unë me kamera u afroja sytë duke ua shoqëruar shikimin deri sa zinin vendin në formacionin e “batalionit” që zgjidhnin. Pas pak, shkoja edhe vetë me paramendimin se gazeta “Nositi” do të botojë copëza të shkëputura të bisedave të tyre.

Kur sheshi u mbush, organizatorët (familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës dhe Bashkia) vendosën kurora në basoreliefin kushtuar trimave kolonjarë të rënë për ringritjen e flamurit në Pogradec. Më pas nisi marshimi për në Varrezat e Dëshmorëve. Edhe pse varreza, ato shkëlqenin në një nur të përbashkët që rrezatonte jetë, forcë, krenari dhe nder. Pranë çdo dëshmori, roje nderi bënte një nxënës, që të kujtonte fjalët e partizanit të vogël Velo: “Komisar, çeli gjethi, erdha unë...”

Mbas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, u mbajt fjala e rastit dhe si çdo vit, u dëgjua fjala e kryetarit të Bashkisë, zotit Artan Shkëmbi. Duartrokitjet ishin të zjarrta, ato shprehnin besimin se ëndrra e dëshmorëve do të bëhet realitet. Kujtojmë për këtë, besimin që kishte nëna e dëshmorit Qemal Kume. Ajo e varrosi djalin e saj, të rënë nga plumbat e mitralozit fashist, në oborrin e shtëpisë. Sigurisht e varrosi e vetme. Kaluan 62 vjet dhe shpresa se shokët do të kujtoheshin një ditë për të (nënë Hyrkja nuk lejonte çvarrimin) u realizua. Djalin ia shpallën dëshmor.

Pjesëmarrja e gjërë dhe përkulja e tyre para çdo dëshmori, si dhe vendosja e luleve mbi çdo varr, flet për një organizim të mirë të aktiviteteve të kësaj dite, të cilat u mbyllën me vizitat në shtëpitë e heronjve dhe dëshmorëve.

Ja disa nga copëzat e bisedave të bëra më 5 Maj:

“Gjatë 5 vjetëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, në kuadrin e koalicionit antifashist botëror anglo-sovjeto-amerikan, u gozhduam fashistëve 15 divizione; i plagosëm, i vramë dhe i kapëm robër 70.000 ushtar. Edhe pse ishim aleatë me fitimtarët, e çliruam vetë atdheun, madje për çlirimin e ish Jugosllavisë na ranë dëshmorë 300 partizanë.”

“Populli shqiptar, atëherë një milionësh hodhi në luftë 70.000 luftëtarë, të gjithë të gatshëm për të dhënë jetën, por jo për socializmin, po për lirinë dhe demokracinë e vërtetë. Për këtë mjaftuan vetëm 28000 dëshmorë. Për kontributin e dhënë koalicionit botëror antifashist, fitoren e tij, Shqipëria për nga numri i popullsisë, radhitet ndër vëndet e para.”

“Ne përkulemi përpara dëshmorëve sepse Himni ynë Kombëtar, s’është veçse gjaku dhe shpirti i tyre ashtu si dhe Flamuri Kombëtar.”

“Dëshmorët e kishin në dorë vetë, që ta shpëtonin jetën duke u tërhequr nga lufta, por nuk e bënë, ashtu siç nuk e bëri vetë Krishti. Kjo është arsyeja që duhet të bindë majmunët në krye të partive dhe pushteteve qendrore e vendore për t’u sjellë siç u ka hije ndaj tyre.”

“Kur pas tre orë luftimesh fashistët e gjetën dëshmorin Ismet Gostivishti të rënë mbi mitralozin e tij, komandanti fashist urdhëroi ta ngrinin në sup e ta varrosnin me nderimet që meritonte.”

“Kur Heroi i Popullit Kajo Karafili u vra, shokët e varrosën në një pyll me lisa shekullorë për mos ta gjetur fashistët, por pas 11 ditë kërkimesh arritën ta gjenin, e çvarrosën dhe e ekspozuan në qytetin e Kavajës për të bindur shqiptarët se kush lufton kundër fashistëve dhe tradhëtarëve si Kajua, si ai do ta pësojë. Por përkundrazi radhët e partizanëve u shtuan edhe më shumë nga ky veprim çnjerëzor (pothuajse i njëjtë si ndaj Heroit Reshit Çollaku). Kajua vriste edhe tradhëtinë, ai ishte pasardhës i Avni Rustemit.”

“Kur në Libohovë shfaqej drama “Dy krisma në Paris”, një plak 80-vjeçar thirri nga salla: “I paç zemrën Avni Rustemit, o bir”. Artistët dolën nga roli dhe me duartrokitjet e tyre shoqëruan shumë gjatë ato të sallës...”

Është momenti që këtu të kujtojmë Himnin Kombëtar: “Prej lufte veç ai largohet,/ që është lindur tradhëtor,/ Kush është burrë nuk frikohet,/ po vdes po vdes si një si një dëshmor.” Lufta që bëjnë sot shqiptarët e vërtetë për liri, demokraci, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe ruajtjen e besës e mikpritjes shqiptare, arrin fitore siç arriti edhe në Luftën Nacional Çlirimtare vetëm nëpërmjet Himnit Kombëtar dhe Flamurit Kombëtar dhe jo atyre të partive! Vetëm kështu ndërtohet shteti ligjor. Në një letër që Lasgush Poradeci  (autori i “Baladës së Pojskës dhe baladës së kalasë, respektivisht për Heroin Reshit Çollaku dhe dëshmorin Muharrem Çollaku) dërguar Asdrenit, (autorit të Himnit kombëtar) më 13 shkurt 1926 shkruante:”... në Pogradec, çerdhe e dëgjuar e çetave të lirisë, vend me nam ku pat rënë Zalo Prodani me kolonjarët, ku e ka varrin e shenjtëruar me flamur të kuq e zi përsipër tumbës Gani Butka...” Kjo do të thotë se Dita e Dëshmorëve nuk është vetëm për ata të LANÇ, por të të gjithë kohrave, që nga Dhimitër Misha, rënë në Tushemisht në vitin 1928, atyre që ranë në vitin 1936-39 për lirinë e Spanjës, Adem Jasharin rënë në 5 mars 1998 e deri tek Ervin Dervishi, rënë për lirinë e Irakut më 24.01.2004, për të cilin ambasadori amerikan tha:

“Ai ra me flamurin amerikan në krah dhe atë shqiptar në zemër.”

Këtij 5 Maji i mungonte Enrik Maliqi, fjala dhe shpirti i tij; po të jetonte, me siguri një nga rrugicat në Pogradec do të merrte emrin e dëshmorit fterrjot, i rënë dëshmor në Pogradec, ndofta bashkë me komisarin e kompanisë Andon Xoxe, për të cilin përbri Shtëpisë së Ushtarakëve ka një lapidar. Fterrioti Turhan Mato ka qenë zv.komisar. Nuk ka asnjë arsye që Kryetari i Bashkisë dhe ai i Këshillit Bashkiak të mos bëjnë diçka, qoftë edhe të shtojnë emrin Turhan Mato tek lapidari i Andon Xoxes.

Maksut Çallo